Bekimi i Anitës:
Mirënjohje për të gjithë ata që dëgjojnë këngën time, ju falenderoj të gjithëve. Zoti bekoftë gjithë shqiptarët.
Të shkruara nga dora e Anitës kushtuar publikut shqiptar që ajo adhuronte aq shumë.
Mijëra kilometra na ndajnë dhe larg jush kam qenë pa ju, por muzika ime kushtuar popullit dhe artdashësve të mi asnjëherë s’do të ketë më kufij. Pa ju nuk do të isha kjo që jam. Me zërin dhe forcën time ju dua të gjithëve. Shpresoj se ata, të cilët duan zërin tim prej vitesh, do të duan dhe ndiejnë kënaqësi me krijimtarinë time tashmë si kompozitore dhe poete, mbasi prej shpirtit dhe zërit tim del në pah dashuria për ju, rruga e gjatë dhe e vështirë e artistit që të jetë me pranë publikut të vet. Falenderoj ekipin amerikan, që vlerësuan dhe besuan në muzikën time, kolegët e mi që ndihmuan, vajzën time Sibora, që e do aq shumë muzikën tonë të bukur dhe në veçanti ty nënë e dashur që asnjëherë s’u lodhe me kujdesin dhe devotshmërinë tënde. Gjithashtu falenderoj gjithë artdashësit e mi këtu në Amerikë për vlerësimin e tyre që më falin, duke më dhënë forcë për të vazhduar rrugën aq të bukur dhe të shenjtë të artistit për popullin e vet.
Nëse ju merr malli...mos qani
Radio Tiranën paksa dëgjoni!
Dhe një minutë heshtje të mbani
Unë do ju ndjej! Mos më harroni!
Kur dimri i bardhë do derdhë dëborën
Kur një hartim do të bëjnë fëmijtë
Dhe kur në tren dikush prek dorën
Do vij t’u sjell gjithë dashuritë!
*******************************************************
Data e Publikimit: 21/10/2004
Komuniteti shqiptar që jeton në Amerikë, i tronditur thellë
nga tragjedia e Anitës, vajzës dhe nënës së saj
Shqiptarët në SHBA, ceremoni në kishë për familjen Bitri
E. Janina
Tragjedia e Anita Bitrit, vajzës së saj, Sibora dhe të ëmës, Hazbijes, ka
tronditur thellë komunitetin shqiptar në Amerikë. Një numër i madh artistësh
dhe të njohurish kanë shkuar dje në shtëpinë e këngëtares Bitri në Nju Jork,
për të nderuar kujtimin e tyre. “Ne humbëm një shoqe të mirë, një artiste të mrekullueshme dhe një shqiptare të mirë”, - tha Gani Bakaj.
Një tjetër shqiptar, njohës i familjes Bitri është shprehur shumë i pikëlluar për ngjarjen. “Sibora ishte një vajzë e vogël, shumë e bukur dhe e talentuar. Ajo i binte pianos dhe ishte në një klasë me djalin tim”, - thotë Vehbi Spahiu.
Ndërkohë këngëtarja tjetër shqiptare me banim në Amerikë, Merita Halili, është shprehur se ende nuk po arrin që të pranojnë faktin se Anita nuk jeton më. Merita dhe i shoqi, Raif Hyseni, kishin shumë miqësi me Anita Bitrin dhe shpeshë këndonin së bashku në aktivitete të ndryshme shqiptarësh në Amerikë.
“Ajo ishte një artiste shumë e talentuar dhe një nënë e devotshme. Është shumë e vështirë për mua që të pranoj faktin që tashmë ajo nuk jeton më”, - tha dje Merita Halili. Në lidhje me këtë ngjarje janë shprehur edhe shumë shqiptarë të tjerë me banim në Nju Jork, të cilët kanë njohur nga afër Anitën dhe kanë pasur miqësi me të. Komuniteti shqiptar në Nju Jork ka planifikuar një ceremoni e cila do të zhvillohet sot në orën 16.00 me orën lokale, në Kishën Evangjeliste në Bruklin.
*******************************************************
Hikja e Anita Bitrit, është vërtet një tragjedi e madhe për të gjithë ne.
Anita ishte gjithmonë e gjallë, ishte një artiste e mrrekullueshme,
dhe do të jetoj e përhershme në zemrat tona.
Ngushëllime me të sinqerta nga stafi i VLORENJ.com.
*******************************************************
Miqtë përkujtojnë këngëtaren
Anita Bitri
Miq dhe dashamirës të këngëtares shqiptare Anita Bitri u mblodhën mbrëmë
në Staten Island të Nju Jorkut pranë shtëpisë së saj, në shenjë nderimi
për artisten e njohur e cila humbi jetën tragjikisht. ...
Artistë shqiptarë me banim në Nju Jork dhe dashamirës të tjerë ndezën qirinj
dhe u lutën në shenjë respekti për këngëtaren, zëri i së cilës do të mbetet
i paharruar si për ata që e kanë njohur kur këndonte në Shqipëri ashtu edhe për
shqiptaro-amerikanët e shumtë që e kanë parë në dhjetra koncerte në Nju Jork,
Uashington dhe shtete të tjerë të Amerikës.
Anita gjendej kudo në festat e shqiptarëve të Amerikës, zëri i saj do të ishte
patjetër i pranishëm në festat e flamurit, të 8 marsit apo në festat e tyre private.
Kohët e fundit Anita kishte regjistruar një album të ri me titull “Çdo gjë është e mundur”
dhe kishte në plan të bënte një turne në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni
për ta promovuar atë. Ajo po punonte edhe për një album në anglisht. Anita i
shkruante vetë këngët që interpretonte dhe këto ishin këngë të muzikës së lehtë
ku gërshetohej muzika tradicionale shqiptare me muzikën pop amerikane.
Në këngët e Anitës gjeje një kombinim interesant të fjalëve shqip me fjalët anglisht
dhe ajo kishte filluar të punonte për të regjistruar disa videokaseta me muzikën e saj.
Disa prej tyre kanë dalë vullnetarë për të organizuar grumbullime fondesh ndërsa
të shtunën pasdite, në Kishën e Parë Evangjelike të Bruklinit,
do të mbajnë një ceremoni përkujtimore për nder të Anitës.
*******************************************************
Data e Publikimit: 20/10/2004
Anita Bitri një nga këngëtaret më të dëgjuara të brezit të saj, që në këtë moment ndjehet se po i lë një boshllëk të madh artit të të kënduarit dhe spektatorit tonë. Anita Bitri. Kjo këngëtare që i dha spektatorit shqiptar dhe më gjërë atë kënaqësi që të jep kënga shqiptare. Repertori i saj është ndoshta më i ngarkuari me këngë që i këndohen jetës dhe lumturisë.
Lajmi i ardhur nga aq larg, është ndër lajmet më tronditëse që i kanë ardhur spektatorit shqiptar për të admiruarit e vet. Asnjëherë Anita Bitri nuk e la të ndjehej distanca fizike që kishte Shqipëria me Amerikën, sepse artistët që fiksohen në memorjen e njerëzve nuk kanë kurrë distance, as fizike e as shpirtërore. Ato bëhen pjesë e pasurisë kulturore të kombeve të vet, bëhen element për të cilën krenohen shoqëritë njerëzore. Dhe, këtë prag, për të hyrë në memorjen dhe në dashurinë e njerëzve, Anita Bitri e pati kaluar prej kohësh. Ne po ndjejmë një tronditje të madhe pasi këngëtaren nuk e kemi më në mes nesh. Duke ikur Anita, iku një njeri, iku një vlerë, iku një mundësi për të dëgjuar dhe disa këngë që ajo i pati kënduar aq bukur. E ndjejmë të gjithë se ajo do të na mungoj gjatë.
*******************************************************
"Bitri", masa të Bashkisë së New Yorkut
E Premte, 22 Tetor 2004
Kryetari i bashkisë Michael R. Bloomberg kërkoi dje nga pronarët e banesave të instalojnë menjëherë detektorë të oksiditi të karbonit, pas tragjedisë së këngëtares shqiptare Anita Bitri, vajzës dhe nënës së saj. Nisëm ligjore për një seri sanksionesh për ata që nuk respektojnë këto masa.
NEW JORK - Kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut në SHBA, Michael R. Bloomberg u bëri thirrje pronarëve të apartamenteve të banimit të instalonin në këto ambjente detektorë të oksidit të karbonit, një ditë pasi këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Anita Bitri, vajza e saj si dhe e ëma humbën jetën në Staten Island si pasoj e helmimit nga monoksidi i karbonit. Kryebashkiaku Bloomberg u shpreh se ligji i ri do të zbatohet nga agjenci të ndryshme të qytetit. Zyrtarë të Nju Jork-ut do të përcaktojnë numrin dhe vendin e vendosjes së detektorëve që nevojiten në hotele dhe shkolla. Qyteti do të shpërndaj falas 60 000 detektorë përmes Departamentit të Zjarrfikësve te rezidentët të cilët nuk mund të përballojnë blerjen e detektorëve, të cilët kushtojnë rreth 20 dollarë. Këto detektorë u dhuruan nga First Alert, që njoftoi se do të vazhdonte çdo vit këtë program gjatë tre viteve të ardhëshme. Bloomberg u bëri thirrje të gjithëve atyre që mund të përballonin blerjen e detektorëve të oksidit të karbonit që t'i blinin menjëherë këto të fundit; detektorët zbulojnë praninë e oksidit të karbonit. "Llogjika e thjeshtë tregon se në këtë mënyrë ju mbroni jetën tuaj", deklaroi Bloomberg. Ditën e martë, Anita Bitri, 36 vjeçe, këngëtarja e njohur nga Shqipëria, vajza e saj 8-vjeçare Sibora dhe e ëma e këngëtares Hazbije Bitri, 60 vjeçe, humbën jetën si pasoj e gazit helmues ndërkohë që po flinin në shtëpinë e tyre në Staten Island.
Marrë nga numri i djeshëm i The New York Times
*******************************************************
Lamtumir Anita!
Me dhimbje të madhe e përjetuan edhe kominiteti Lunxhot në Boston tragjedinë familjare të këngëtares Anita Bitri. Anita është e njohur në Komunitetin Lunxhot të Bostonit. Ajo ka qënë e pranishme në çdo festë e gëzimë të tyre me grupin e saj muzikor. U nda nga ne një ëngjëll i muzikës shqiptare e i trevave te jugut. Një këngë e lënë përgjysëm.........
*******************************************************
Lamtumir Anita!
Sot, e mëkurë, 27 tetor 2004
Nga Dalip Greca
Të martën më 26 tetor, në A. Azzara Funeral Home" në Staten Island, një javë pas tragjedisë, shqiptarët i kanë dhënë lamtumirën e fundit këngëtares
Anita Bitri, vajzës së saj Sibora dhe nënës Hazbije. Ishte një ndarje e përlotur, ku vëllai i Anitës, Arbeni priti ngushëllime nga komuniteti shqiptar dhe ai amerikanë. Një pjesëmarrje e jashtzakonshme e medias amerikane dhe pjesës më të madhe të artistëve shqiptar që jetojnë në Amerikë. Nga ora 2 pasdite deri në në orën 10 të darkës kanë vazhduar homazhet. Kanë ardhur edhe nxënësit e shkollës ku mësonte Sibora e vogël, të cilët kanë krijuar një situat tepër emocionale në Funeral Home duke u endur pranë arkivolit të tejdukshëm ku prehej përjetësisht Sibora. Qindra vetë kanë shkuar nga "A. Azzara Funeral Home" tek shtëpia ku ndodhi tragjedia. Qindra qirinjë, tufa me lule, kukulla për Siborën e vogël. Nga shtëpia vargu i gjatë i komunitetit shqiptar shkonte sërish në Funeral Home. Në mbyllje të ceremonis mortore, muzikanti Vait Hajdari, ka ngushëlluar në emër të artistëve dhe ka falenderuar pjesmarrësit që në këto 8 ditë nuk i kanë lënë të vetmuara tri jetët e shuara.
E SHTUNA E PËRLOTUR
E shtuna, 23 tetorit, ishte një ditë dënesash dhe lotësh në sallën e lutjeve të First Evangelical Free Church në Brooklyn New York. Përreth kishës, aq shumë vizitorë, me fytyra të përvajshme, ndoshta nuk ishin parë ndonjëherë. Shumë kamera televizive dhe dhjetëra gazetarë e fotoreporterë të gazetave njujorkeze përcollën ngjarjen. Në sfond portreti i këngëtares së njohur, ku rrezaton një buzëqeshje e përjetshme; dhe një buqetë lulesh. Salla është mbushur plot e për plotë sa që shumë janë detyruar të ngjiten në lozhë, por ka shumë që qëndrojnë në këmbë. Ndërsa një këngë e përzishme kurbeti na kujton se të huaj jemi në këtë vend. Kënga të rëngjeth shtatin. Dënesa, psherëtima, përzjehen me ritmin e këngës. Shoh në një cep mikun tim të ngushtë, shkrimtarin Ramiz Gjini, dhe shkoj për ta takuar. Kishim kohë pa u parë. Ra ky mort dhe u pamë, do të shkruante prijësi i letrave shqipe. Por as unë, as Ramizi nuk arrijmë të shqiptojmë fjalë përshëndetëse; një ngërç dhimbjeje na ka grabitur fjalët. Unë shoh lotët e mikut tim, vargu i këngës labe, përshtatur me këtë atmosfer të përzishme, sërish më trondit. Edhe burri qan si grua! E pra s`është turp të qashë; është dhimbja njerëzore për tri jetët e shuara, por është dhe qënia emigrant në dhe të huaj që na trondit shpirtrat e vrarë. Ramizi diçka më thotë, por unë dëgjoj vetëm një shkulmë ofshame; patjetër po mundohet të shpreh diçka për dhimbjen që ndjente, diçka për jetët e shuara, por ç`rëndësi kanë fjalët, kur sytë po shfryjnë dhimbjen e pa zbutur nga lotët? Kadri Brogi me të cilin kisha udhëtuar nga Bronxi në Brooklyn ishte tërësisht i mpirë. Qemal Zylo; organizatori kryesor i kësaj përshpirtje, padyshim që nuk arrin ta marrë veten pas një përkushtimi shumë ditorë së bashku me të shoqen, Kozeta Zylo. Nuk është kjo e para sipërmarrje bamirësie në raste të tilla që ata organizojnë!
Dhimbja që nuk tretet nga lotët!
Kush e shpiku kurbetin? Ah, ç`gjëm që na ka dhuruar! Ajo kënga labe për kurbetin na e bëri shpirtin ujë! Frederik Ndoci e ka të vështirë që të përballoj dhimbjen, por ai arrin që ta drejtoj mrekullisht koncertin duke e lënë të lirë shpirtin e tij, të qajë, të qeshë dhe të këndoj njëherazi, të nxisë sallën për duartrokitje! Vetëm artistët janë të aftë për t`i dhuruar njëkosishtë të gjitha këto emocione; do të thoshte më pas, në fjalën e tij ngushëlluese, regjisori dhe shkrimtari Pëllumb Kulla, i cili do ta përcillte ngushëllimin në emër të familjes së madhe të artistëve edhe me një dridhje të lehtë zëri! Ambasadori shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, z.Agim Nesho, që ka ardhur së bashku me z. Lublin Dilja, ngushëlloi në emër të shtetit shqiptar. Sot, tha ai, kemi ardhur këtu të përcjellim dhimbshëm shuarjen e një familje. Po përcjellim artisten e shquar Anita Bitri, vajzën e saj të vogël, Siborën dhe nënën Hazbije. Hikja tragjike, tha ai, ishte humbje jo vetëm për komunitetin shqiptar këtu, por për të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë; në Vlorë, në Prishtinë, në Tetovë apo në Ulqin! Anita i përkiste atij brezi të talentuar të artistëve si Agim Krajka, Frederik Ndoci, Merita Halili e të tjerë…që i dhanë emër kulturës shqiptare!
Si të lashë e më s`të pashë! Homazh për Anitën
Artistët shqiptarë, ata që e kanë qarë me lotë prej ditës së martë artisten kolege, kur mësuan lajmin e zi, sot kanë pushtuar skenën e sallës së madhe të
lutjeve. Të veshur me të zeza, me sy të skuqur nga lotët e dhimbja, me zërat e dridhur, me intimitetin e kujtimeve për këngëtaren që s`jeton më, ata na e
ringjallën edhe njëherë Antia Bitrin! Si për të kujtuar shtegtimet e hershme të shqiptarëve shekuj të shkuar, realizuesit e koncertit përcjellës, kishin menduar që përshpirtjen me emrin e Anitës ta bënin me këngën "Moj e bukura More"! Vargje malli që të përzjer me dhimbjen e zisë, krijojnë një mjedis dridhërues! Kënga që e patë kënduar shpesh nëpër koncerte Anita, kalon zë më zë:
Si të lashë e më s`të pashë,
Si të lashë, si të lashë,
Siç të gjeta nuk të pashë!
Atje kam lënë unë Zotin At,
Atje kam unë zonjën mëmë,
Atje kam dhe detin vëlla,
Gjithë mbuluar
Të gjithë mbuluar
Të gjithë mbuluar nën dhe
Ah, e bukura More!
Frederiku kalon nga njëri artist tek tjetri me mikrofonin në dorë, dhe secili prej tyre shqiptonte vargjet :
Si të lashë e më s`të pashë!.!
Si të lashë; si të lashë!
Merita Halili, Justina Aliaj, Haxhi Maqellara, Gëzim Çela, Erion Mustafaraj, Aida Ndoci, Artan Kushi, Edmond Xhani, Zana Thaçi, Arenc Leka, instrumentistët! E gjithë salla përcjell këngën e dhimbshme së bashku me artistët. Kush di ta lexoj shpirtin e artistit, e ka kuptuar në ato çaste sa dhimbje përcillnin ata zëra që sa s`plasnin nga dhimbja! Salla nuk ndjehet, ndërsa artistët këndojnë dhimbshëm për shpirtin e artistes që nuk jeton më! Kur krijohej
pauza e ndërrimit të mikrofonit, dëgjohej korri i dënesave të sallës. Hedh sytë dhe shoh dr. Anna Kohen që përlotet, Shqipe Biba, Kozeta, Flora Selfo më tej, shumë vajza e gra që nuk ua di emrat, por ua lexoj dhimbjen në sytë e skuqur dhe buzët e dridhura!
Merita dhe Aurela qajnë me këngë, Raifi ofshan në"Vetmi"
Merita Halili ka zgjedhur një këngë vaji nga Shqipëria e mesme për ta qarë
shoqen e saj artiste! Vargjet ta këpusin shpirtin:
Qani shoqe, mos më lini vetëm, oh!
Qani për motrat, motrat fatzeza, oh!
Qani shoqe mos më lini vetëm-oh!
Qanë vëllai për motrën-o
Qaje-qaje vëlla nënën-o
Motrën dhe mbesën-o
Qaje-qaje, mos push-o
Qani shoqe mos më lini vetëm-o
Posi ëngjëj duken motrat-o!!.
Zëri i përvajshëm dhe i dridhur i Meritës, të shpon gjoksin nga dhimbja, është një këngë e përvajshme, tipike që këndohet në vaj në Shqipërinë e Mesme! Merita, kur i telefonova të dielën, më tregoi se kjo këngë është interpretuar nga grupi folklorik i Elbasanit në Festivalin Kombëtar Folklorik në vitin 2000, ndërsa vargjet ajo i ka përshtatur për artisten Anita Bitri, me të cilën ka një njohje dhe bashkëpunim të gjatë. Nuk e di se ku e gjen forcën Merita të përballoj një jetë kaq të mbingarkuar: Sapo u kthye nga Festivali Kombëtar i Gjirokastrës, së bashku me Raifin, përfaqësuan Shqipërinë në një festival Botëror në Texas, tani sërish e palodhur në aktivitet e tjera të komunitetit! Erion Mustafaraj ka zgjedhur vargje nga Dritëro Agolli për të shprehur atmosferën e përzishme të rënduar nga dhimbja. Mjeshtri i fizarmonikës Raif Hyseni e ka bërë të vajtoj sallën tek ka luajtur mjeshtrisht pjesën instrumentale "Vetmia". Fizarmonika e mjeshtrit ofshan me një zhurmë drithëruese, pastaj rënkon thellë më pas sërish me gulçe shpërthen dhimbjen. Gulçimi është i trefishtë, aq sa ishin edhe ato; tre gulçime të dhimbshme që të drithërojnë, nga një gulçimë për secilën nga shpirtrat për të cilat po luten kaq shumë shqiptarë e amerikanë në këtë kishë, që u ka hapur dyert shumë herë shqiptarëve që kanë patur fatkeqësi! Kur i them Raifit; si do ta shprehje me fjalë atë që shpreh në tastierën e instrumentit? Është e vështirë të gjej fjalët, ndaj përdora notat! Thotë Raifi. Aurela Gaçe tha se do ta qante shoqen, vlonjaten e saj, Anitën, me ligje, siç qajnë nga anët tyre, nga Vlora. Shpesh fjalët e saj ndërpriten nga një Oooohhh e zgjatur. Kujton njohjen me Anitën; kujton magjinë e saj, kur dilte në skenën e pallatit të sportit të Vlorës, kur Anita, me këngën e saj, ngrinte në këmbë vlonjatët. Mediton Aurela: Thosha me vete: Lum kjo që i bën të gëzuar gjithë këta njerëz! Dikur, kur isha ende e panjohur, ajo më zgjodhi ta shoqëroja në një koncert të përbashkët. U ndjeva e lumtur që më zgjodhi mua.
Duke dëgjuar këngët e Anitës!..
Zëri i Anitës shpërndahet në sallën e madhe. Na u duk se ajo ishte sërish mes nesh duke kënduar! “Mos u nxito, mos u gabo”. Diku projektohet dhe portreti i saj në skenë; të duket se nuk ka ikur! Salla duartroket, thërret, për një çast, ndoshta shumë të shkurtër, harrojmë se jemi në një koncert të përmortshëm, harrojmë se jemi në një takim mortor, dhe duartokasim! Artistët prandaj janë të veçantë; ata i përcjellin ndryshe si gëzimet ashtu edhe hidhërimet! Dikush më thotë se nuk duartokitet në mort; dikush tjetër: Po pse duartrokitet në kishë? Po jemi mes artistëve pra, dhe artistja që s`jeton më vetëm kështu mund të ringjallet! Shoh vëllanë e Anitës, Arbenin. Sytë i mban të mbyllur për një çast dhe dëgjon këngët e Anitës. Ndoshta kështu do të ruaj imazhin për motrën, të gjallë; mbesën e dashur, ashtu siç e pat përfytëruar, nënën e dashur-mall të pashuar. Nuk e di pse për një çast m`u duk ky Arben Bitri si Kostandini i legjendës shqiptare; m`u duk tamam si ai, që erdhi se di sa male kaptuar, për të marrë të motrën! Veçse, ndryshe nga legjenda, i vdekuri nuk është Kostandini, por ajo, motërlegjend! Në vend të kalit të magjishëm, ku shkon i vdekuri me të gjallë; ata do të udhëtojnë me avion dhe do të kapërcejnë male, oqeanin, dete, lumenj, dhe atje nuk do t`i presë nëna e gjorë, se ajo është mes të vdekurve që fluturon së bashku me ëngjëllin e vogël Siborën!..Por do t`i presë Vlora, do t`i presë Shqipëria. S`janë as të parët as të fundit emigrantë që kthehen në arkivole! Ç`fat për kombin tonë të mërguar!
Mami, mami, ku je ti?
Aida Ndoci tek pyet veten se kur e ka takuar për here të fundit Anitën nuk e ka të vështirë ta jape përgjigjen po vetë; e takova dikur aty nga korriku. I shkova në shtëpi për të marrë një fotografi për koncertin që do të jepnim. Më priti siç dinte të priste ajo. Më foli edhe për CD që po përgatiste, kishte dhe një këngë me vajzën e saj, Siborën. “Për ty Sibora sot do të këndoj një këngë”, - më tha Anita. Dhe Sibora mes një ndjenje fëmijërore, ku përzihej ndrojtja me dëshirën, nisi të këndonte para meje; ia doli mbanë që ta këndonte bukur këngën së bashku me mëmën e saj! Dhe pas fjalës së Aidës, në sallë shpërndahen nga CD-ja tingujt muzikorë e më pas fjalët e këngës që ka mbetur pas, kënga që është inçizuar dhe do të jetë pjesë e diskut të ri. Këndojnë mëmë e bijë! Mëma përcjell këngën dhe e bija shpreh dashurinë. Dikur zëri i Siborës endet mes nesh. Zëri i saj ta këput shpirtin: Mami, mami, Ku je? – thonë vargjet e këngës, që të japin një imazh haluçinativ, kur mendon ikjen e papritur të vajzës së vogël, e cila duket sikur kërkon në gjumë nënën Anitë: Mami, ku je? Shqipe Malushi, në mesazhin e saj të dhimbshëm, përcjellës në gjuhën angleze, e bëri sërish sallën të dënesej e të lotonte, paçka se dhe vetë i rrodhën sytë
pa pushim! Elmira Muja, do të kujtonte Anitën në marrëdhëniet shpirtërore me "Motrat Qiriazi", Shqipe Biba, me fjalë shpirti do ta sillte portretin e këngëtares në aktivitetet në ndihmë të Kosovës. Kozeta Zylo, me fjalë të përzgjedhura, ku lundronte ndjenja, shpirti dhe poezia, nderoi këngëtaren e paharruar. Edhe Zana Thaçi si dhe fëmijë të tjerë do t`i shprehnin ndjenjat e pastërta fëminore përmes këngëve. Kënga e tyre ishte mesazh për Siborën e vogël-ëngjëllin që u shkëput aq shpejt nga toka drejt qiellit! Grupi i fëmijëve përcjell këngë zemre! Në kujtim të Siborës së vogël! Demir Zena, Remi, Kino, Gëzim Çela, sa kanë për të thënë sot? Të gjithë kërkojnë të flasin, të këndojnë për shpirtin e saj! Justina Aliaj, nuk arriti të këndoj dy herë që iu afrua mikrofoni: - “Nëqoftëse askush nuk do të këndonte sonte në këtë mort, unë do të këndoja në kujtim të Anitës, por duke qënë se thuajse të gjithë kënduan, unë po kam dëshirë me ba atë që kam në shpirt; vetëm me folë”, tha Justina! Dhe pastaj vazhdoj,- Ashtë e pabesueshme tre vetë, tre shpirtëra me ikë në të njëjtën kohë; tre breza ikën njëherësh, por ja që nuk e kemi në dorë! Jemi të përkohshëm në këtë botë! Mos t`raftë me harru, themi ne në Shkodër! I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre! Dila Gecaj, tregoi se si u njoh me Anitën, dhe thotë se ka qenë me fat që e ka njohur atë. Dhe më pas një këngë për shpirtin që iku! Artisti Xhevat Limani do të përcillte telegramin e ngushëllimit nga Ministri i Kulturës së Kosovës, Brajshori, ndërsa mjeku Namik Shehu ngushëlloi në emër të akademisë shqiptaro-amerikane të shkencave! Më pas mikrofoni do të endej nëpër sallë dhe ata që kishin zemër të fortë flisnin rreth jetës së këngëtares!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
Wednesday, November 11, 2009
ANITA BITRI - Si te lash ma ste pash - Estrada Humazh USA - www.besfort.de
Monday, November 9, 2009
ANITA BITRI - Biografija 2/2 - www.besfort.de
Është për t’u theksuar se të gjitha këngët, të pranishme ose jo në këtë videoklip, kanë të veçantën dhe bukurinë e tyre. Tematika e kësaj D.V.D –je është sa e larmishme aq e dhe paradoksale, jeta në të gjithë këndvështrimet dhe aspektet, ashtu siç ishte vetë arti dhe muzika që Anita krijoi. Vlejnë për t`u përmendur vidioklipet “Na jep bekimin”, “Era përcjell fjalën të dua”, “Malli”, “Mos u nxito, mos u gabo”, etj. Regjisori i kësaj DVD Xhevat Limani do të shprehej rreth kësaj vepre arti: “Gjithçka e bëra për artin shqiptar dhe për bijën e këtij arti, Anitën. Këngën dhe zërin e saj e kam adhuruar që kur e kam dëgjuar për herë të parë, ndaj le të jetë ky një kontributi im sado i vogël në përjetësimin e veprës së kësaj artisteje të madhe shqiptare”.
ANITA BITRI - Biografija 1/2 - www.besfort.de
D.V.D-ja e re “Përherë mes jush” është një ndërthurje origjinale e sukseseve të këngëve të Anitës në vite në vidioklipe. Duke i shkrirë natyrshëm njëra pas tjetrës, kohën, motivin dhe gjeografinë, kalohet nga triumfet e para skenike e deri në përsosmërinë artistike të viteve të fundit. Autorët kanë dalë jashtë çdo skeme dhe shablloni në këtë vepër arti, ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja gjenden vetëm në një detaj: Anita. Gjithçka është në funksion të saj, sepse ajo e meriton. DVD-ja e re përmban në vetvete 11 vidioklipe të Anitës duke interpretuar këngë të ndryshme të muzikës së lehtë shqiptare, ku autorët janë përpjekur të mahnisin publikun me disa nga perlat e repertorit të Anitës, edhe pse seleksionimi i këngëve më të bukura të saj, ka qenë me të vërtetë shumë i vështirë. Të zgjedhësh mes të zgjedhurave, është një privilegj të cilin autorët nuk kanë dashur që ta kenë, megjithatë kufijtë artistikë për një vepër të caktuar i kanë imponuar për një gjë të tillë.
Anita Bitri "Bijes Sime"
Anita Bitri "Bijës Sime".
Këtë këngë Anita ja kushton vajzës së saj të dashur dhe që e adhuronte aq shumë Siborës së mrekullueshme.
Por gjithashtu në këtë këngë Anita përshkruan ndjenjat e bukura që çdo nënë ka për bijën e vet. Këtë këngë do ta gjeni në Albumin “Çdo gjë është e mundur”.
Albumi Çdo gjë është e mundur është frut i fantazisë së Anita Bitrit. Nuk do ta ekzagjeronim nëse do të thoshim se ky album është një pasqyrë reale e jetës së Anitës. Çdo gjë që e rrethonte çdo gjë që shikonte dëshirat, ndjenjat, bota e saj e brendshme shpirtërore janë përcjellë me anë të tingujve të mrekullueshëm dhe teksteve të këngëve.
Albumin “Çdo gjë është e mundur” mund ta gjeni dh eta shkarkoni for free në faqen:
www.anitabitri.com
ANITA BITRI - Si te lash ma ste pash - Estrada Humazh USA - www.besfort.de
Bekimi i Anitës:
Mirënjohje për të gjithë ata që dëgjojnë këngën time, ju falenderoj të gjithëve. Zoti bekoftë gjithë shqiptarët.
Të shkruara nga dora e Anitës kushtuar publikut shqiptar që ajo adhuronte aq shumë.
Mijëra kilometra na ndajnë dhe larg jush kam qenë pa ju, por muzika ime kushtuar popullit dhe artdashësve të mi asnjëherë s’do të ketë më kufij. Pa ju nuk do të isha kjo që jam. Me zërin dhe forcën time ju dua të gjithëve. Shpresoj se ata, të cilët duan zërin tim prej vitesh, do të duan dhe ndiejnë kënaqësi me krijimtarinë time tashmë si kompozitore dhe poete, mbasi prej shpirtit dhe zërit tim del në pah dashuria për ju, rruga e gjatë dhe e vështirë e artistit që të jetë me pranë publikut të vet. Falenderoj ekipin amerikan, që vlerësuan dhe besuan në muzikën time, kolegët e mi që ndihmuan, vajzën time Sibora, që e do aq shumë muzikën tonë të bukur dhe në veçanti ty nënë e dashur që asnjëherë s’u lodhe me kujdesin dhe devotshmërinë tënde. Gjithashtu falenderoj gjithë artdashësit e mi këtu në Amerikë për vlerësimin e tyre që më falin, duke më dhënë forcë për të vazhduar rrugën aq të bukur dhe të shenjtë të artistit për popullin e vet.
Poezi nga Agim Doçi
Nëse ju merr malli...mos qani
Radio Tiranën paksa dëgjoni!
Dhe një minutë heshtje të mbani
Unë do ju ndjej! Mos më harroni!
Kur dimri i bardhë do derdhë dëborën
Kur një hartim do të bëjnë fëmijtë
Dhe kur në tren dikush prek dorën
Do vij t’u sjell gjithë dashuritë!
Anita Bitri "Na Jep Bekimin"
Në këtë këngë të titulluar "Na jep Bekimin", Anita shpalos edhe njëherë ndjenjat e saj patriotike dhe atdhedashëse ndaj mëmëdheut të saj të dashur Shqipërisë që i mungoj aq shumë gjatë 9 viteve të gjatë të mërgimit.
Eksperienca e gjatë e krijuar në vite si dhe pjekuria artistike, të gërshetuara edhe me talentin e saj si krijuese, bëri që Anita të shkruaj e të kompozoj vetë tekstet dhe muzikën e albumit të saj të dytë shumë të suksesshëm "Çdo gjë është e mundur". Në këtë album Anita shfaqet si një artiste e kompletuar e sigurtë dhe e vendosur për të shkelur në shtigje të reja të pashkelura më parë. Ajo me një stil të ri dhe të larmishëm, i servir publikut materiale muzikore të stileve të reja dhe të ndryshme nga njëri-tjetri, duke e bërë këtë album sa të plotë aq edhe tërheqës dhe duke shfaqur kështu vlera të padiskutueshme krijuese dhe interpretuese. Ndërthurja e materialit muzikor me tekstet e ndjera dhe plot frymëzim, orkestracionet me shije bashkëkohore si dhe interpretimi dinjitoz i saj tregojnë fare qartë cilësitë e kësaj artisteje tashëm të kompletuar. Nëpërmjet këtij albumi, Anita arriti të krijoj figurën e saj të veçantë si kantautore, duke dhënë edhe ajo kontributin e saj të vlefshëm në fushën e krijimtarisë dhe të interpretimit artistik.
Për të dëgjuar dhe downloader for free këtë album mund ta gjeni në: www.anitabitri.com